Wednesday 17 April 2013

Shqiptarët dhe Ndërkombtarët




Hyrje

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë, shqiptarëve dhe të huajve (sot emërtohen ndërkombtarët) kanë luajtur, dhe potencialisht luajnë  një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Për vetë vlerën gjeopolitike, Shqipëria si vend, ka qenë ngahera zonë me interes strategjik për fuqitë e kohës, që nga antikiteti deri në ditët tona. Në këtë kapacitet, nuk është ngurruar të sulmohet dhe të pushtohet rregullisht. Pushtimet e Shqipërisë nga fuqi të huaja, një kërcënim edhe për vendet e tjera përreth, në vijim kanë detyruar aleanca interesi me këto vende.

Rrjedhimisht, aleancat dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me kombe dhe shtete të tjera, karakterizohen si komplekse, kryesisht të imponuara nga faktorë të jashtëm, por edhe të brendshëm. Në rastin e faktorit të brendshëm, ky fenomen merr vlerën e interesit të ngushtë të udhëqeqësisë së kohës, për të konkuruar rivalët vendas dhe për të sunduar e vetme. Kompleksiteti përfshin aleanca absurde me Otomanët, deri te Italia Musoliniane, Bashkimi Sovjetik, Kina etj.


Shqiptarët dhe ndërkombtarët

Në ditët tona, aleanca e shqiptarëve, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombtare, merr një dimension të ri. Mbështetja nga jashtë nuk është më thjesht aleancë e imponuar si rezultat i një pushtimi, apo aleancë që mbështet një lider të caktuar. Kjo mbështetje tashmë i adresohet kryesisht Shqipërisë si vend, dhe shqiptarëve, si komb. Kjo periudhë është në fakt, një nga kulminacionet e marrëdhënieve ndërkombtare, kur një vend i vogël dhe i parëndësishëm, përfiton mbështetje pa kusht, prej fuqive më të mëdha dhe më demokratike të kohës. Mbështetja solide e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, e cila mundësoi nderhyrjen humanitare ushtarake në Kosovë, përbën një rast unikal, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për disiplinën e marrëdhënieve ndërkombtare. Ishte pikërisht kjo mbështetje, e cila parapriu komunitetin ndërkombtar në qëndrimin ndaj çështjes shqiptare.

Rezultati i suksesshëm i kësaj mbështetjeje dhe aleancës së krijuar organikisht, kulmoi historikisht me pavarësinë e Kosovës dhe anëtarsimin e Shqipërisë në NATO. Përveç këtyre arritjeve monumentale, një fitore e kohës është edhe vetë trajtimi i çështjes shqiptare në politikën botërore.
 
Porse vlen të theksohet se, pavarsisht lakimit dogmatik të kësaj aleance prej politikanëve shqiptarë, – si fitore politike e nismës së tyre – ajo realisht është produkt i mbështëtjes konseguente të aleatëve të huaj ndaj shqiptarëve në tërësi, dhe ndaj Shqipërisë. Kjo mbështëtje, duke u përqëndruar kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, është kaq e konsoliduar në politikat e jashtme të këtyre vendeve, sa nuk ka ndryshuar aspak, pavarësisht ndryshimeve në udhëheqësinë e të dy vendeve, gjatë dekadave të fundit.

Në këtë paragraf, është interesant fakti shembull, kur fuqi botërore elitare si Sh.B.A. dhe Britania e Madhe, kanë sisteme demokratike të atilla, të cilat mundësojnë qarkullimin e liderëve, pavarësisht kapacitetit të tyre historik, duke ruajtur të paprekur linjat e politikës së jashtme, në përputhje me interesat shtetërore dhe mbarëvajtjen e politikës botërore.

Diametralisht kundër, Shqipëria – një vend i vogël, me demokraci në ndërtim – dështon në ndërrimin e udhëheqësisë së vet, pavarësisht shijes ende të hidhur, nga një diktaturë absurde. Nën efektin e dështimeve të rradhës, ndryshimet e vetme përfshijnë vetëm fragmente linjash politike, ekonomike dhe shoqërore, dhe çdo katër vjet, ndryshimi dhunohet prej amoralitetit të pazarit zgjedhor.

Në mediat televizive, ndërrimet propagandohen vetëm në kuadrin e zëvendësimit të pushtetit nga një parti, me një tjetër. Debati politik ngushtohet në një emër (hera herës dy emra). Debati politik merr më pas, edhe formën e një sherri rrugaçësh, gjithmonë duke ngulmuar në një emër, a thua se e keqja kombtare vjen nga një person i vetëm. Brenda partisë së vet, babaxhanët nuk i luan as topi. Të rinjtë – doracakë të punësuar për farsë – nisin me zell gumëzhitjen propagandistike e pa frut (toratori boshe), nën shembullin dhe mbikqyrjen e babaxhanëve.

Kudo ndodh e njëjta praktikë. Asnjëra prej forcave politike në Shqipëri nuk ka dëshmuar ende, një frymë demokratike të mirfilltë. Nuk ka tolerancë mendimi, idesh, apo debate produktive brenda partive. Partitë u nënshtrohen sistemit të Njëshave, të cilët veçse përpëliten të modernizojnë një sistem drejtimi, të provuar me dhimbje, jo shumë vite më parë. Kaq shumë ngjan praktika autokratike e sotme me atë diktatoriale, sa nuk hezitohet të kategorizohet tradhëtar, një person që shpreh bindje të kundërt me Njëshin drejtues. Për të saktësuar pa drojë përshkrimin skicor të këtyre partive madhore, ata janë shëmbëlltyra rudimentare të mendësisë organizative të Partisë Komuniste, gjatë periudhës së diktaturës.
  

Konkluzion

Në këtë katrahurë politike, shqiptarët të vetëdijshëm dhe të zhgënjyer, i hedhin sytë nga ndërkombtarët. Ata vërejnë reagimin e tyre. Ata analizojnë në bisedat mes vetes, pas emisioneve televizive të lajmeve, theniet, kundërtheniet, deklarimet publike, madje edhe gjestikulacionet e ndërkombtarëve. Shpesh shqiptarëve u pëlqen ajo që dëgjojnë. Shpesh nismëtojnë hamendësime sipas llogjikës së vet, duke përcaktuar mbështetjen e ndërkombtarëve për iks krah politik. Ndonjëherë, në dëshpërim, nuk ngurrojnë t’i kritikojnë ndërkombtarët, duke kërkuar prej tyre ta ndalin këtë, apo atë politikan. Shpesh, dhe fatkeqsisht shumicën e kohës, shqiptarët e kërkojnë zgjidhjen prej tyre – zgjidhjen politike, ekonomike, sociale, të këtij tranzicioni të zvarrë.  

Por ndërkombtarët nuk mund të japin më shumë se ç’kanë dhënë deri tash. A-ja dhe Zh-ja e ligjëratës së tyre, e qartëson qëndrimin e tyre përkujdesor, mbështetës dhe inkurajues ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe ecurisë demokratike në Shqipëri. Zgjidhja dhe ndryshimi i shumëpritur në Shqipëri duhet të realizohet prej vetë shqiptarëve. Dhe kjo bëhet thjesht – me një votë të menduar mirë. Mospërdorimi i votës – si arma e vetme demokratike – është një dështim kombtar. Vota ka vlerë. Ajo ka vlerë edhe kur është thjesht një votë e bardhë.

Albert Baja         

No comments:

Post a Comment