Friday 12 April 2013

Shqiptarët dhe administrata publike pas zgjedhjeve




Të shkruash mbi këtë temë është e lehtë, është e vështirë dhe ndoshta tashmë, edhe e mërzitshme. Megjithkëtë, të shkruash mbi problemet e administratës publike në Shqipëri, shterrimin dhe rimbushjen e saj, pas çdo përfundim zgjedhjesh, është në fakt, adresimi i njërit prej lëngimeve më të dhimbshme në plagët e shtetit shqiptar.

Shqiptarët janë mësuar të ndjekin në televizion tubimet protestuese të opozitës dhe të shohin miqtë, të afërmit, apo fytyrat e njohura, të punësuar në Bashkinë e Tiranës, kur kryesohej nga kryetari i Partisë Socialiste. Ata po njësoj, panë edhe punonjësit e ministrive, madje edhe nxënës shkollash, nëpër mitingjet solidarizuese, organizuar nga pozita. Ndoshta, krerët organizues nuk e dijnë këtë gjë, apo ndoshta marria ka veshur mendjen dhe kështu kemi vendosur të mendojmë se ndodh vërtet. Por fakti është fakt. Jemi vend i vogël. Njihemi me njëri tjetrin. Madje e njohim njëri tjetrin aq mirë, sa në konfidencë të themi se shkuam në protestë, apo tubim, sepse kishim frikë, se më pushonin nga puna.

Duke shmangur analizën e gjatë të aspektit moral, kur paftyrësia politike për qëllime karriere shfrytëzon fatkeqësinë ekonomike të njerëzve të thjeshtë, duke i kërcënuar me vendin e punës, pra, bukën e gojës – mund të përmendim mendjet e marrosura të krerëve udhërrëfyes (drejt Europës demokratike) – e të kërkojmë ta ndalin këtë praktikë primitive. Jo thjesht për inhumanizmin, sesa për dëmin e rëndë që i shkakton shtetit shqiptar.

Sipas kësaj praktike, administrata publike i nënshtrohet një hemoragjie të vazhdueshme, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të saj. Shqiptarët kërkojnë një administratë efikase, demokratike, të pakorruptuar. Po këtë gjë, e premton çdo sezon katër vjeçar zgjedhjesh, edhe vetë udhëheqësia ndërpartiake. Ndërrimi i vazhdueshëm i administratës në fakt, kryen absolutisht të kundërtën e asaj që kërkohet dhe asaj që premtohet.

Nuk është e mundur të ndërtosh një administratë të pa korruptuar, ndërkohë që punësimi i militantëve, përveç një paaftësie të neveritshme, apo mungesës së arsimimit përkatës, është në vetvete një akt korrupsioni. Punësimi i tyre është një shpërblim. Ndërkohë që ligji dënon nën akuzën e korrupsionit një funksionar shtetëror që pranon shpërblim në formë parash, për një favor, apo thjesht, për të bërë punën e vet, - përse nuk e dënon ligji kreun e një qeverie të re, kur ai shpërblen me ministri dhe drejtori, partitë koalitare – të cilat më pas, do të shpërblejnë militantët e vet?

Përse nuk dënon ligji edhe krerët e këtyre ministrive dhe drejtorive, të cilët pushojnë në mënyrë të jashtligjshme nga puna administratën aktuale, për ta zëvendësuar me militantët. Ndërkohë që politikanët, çirren paftyrësisht nëpër tribunat parazgjedhore për demokraci, të drejta njerëzore, zhvillim shoqëror dhe ekonomik – vetë dita e tyre e parë e punës fillon me a-në e një shoqërie autokratike. Përmbi aspektin korruptiv të kësaj praktike, në rastet kur punonjësit e pushuar ankohen në gjykatë, ata dëmshpërblehen me fondet e shtetit (paratë e taksapaguesit shqiptar), dhe megjithkëtë, nuk ri-punësohen.

Nëse ka mbetur sadopak moral në politikën shqiptare, demokratizimi dhe në të vërtetë, ndërtimi i shtetit shqiptar, duhet të fillojë nga punësimi i një administrate publike të arsimuar përkatësisht dhe, të papolitizuar. Absolutisht të papolitizuar. Shteti është i të gjithë shqiptarëve. Administrata publike është bashkësia e organeve, e cila mundëson funksionimin normal të organizmit shtëtëror. Nuk ka vend demokratik, ku shteti përdoret për të shpërblyer paaftësinë, thjesht për vlera militante.

Megjithatë, sado e vërtetë dhe imediate të jetë nevoja për çrrënjosjen e kësaj praktike, gjasat e realizimit faktik janë pothuajse zero. Kjo metodë shpërblimi është zanafilla e mbijetesës së disa politikanëve, të cilët shqiptarët i duan jashtë jetës së tyre të tashme e të ardhme. Mbarimi i këtij cikli është padyshim edhe mbarimi i tyre. Askush nuk do të votojë më për ta, nëse ata nuk kanë më në dorë çelësin e shpërblimit me një vend pune. Ndaj shqiptarët këtë nuk duhet ta presin prej tyre, ndonëse është procesi më i thjeshtë e më i domosdoshëm për t’u kryer.

Atëhere shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen e ta mbyllin vetë këtë kapitull. Mbyllja e këtij kapitulli përbën në vetvete fillimin e një të ardhmeje ndryshe. Nëse politikanët duan të zgjidhen përsëri në mandatin tjetër, atëhere atyre do t’u duhet të përveshin mëngët. Ata nuk mund të kapërdisen më, me shtetin në xhepin e tyre. Shteti do të jetë i shqiptarëve. Kështu është kudo dhe kështu duhet të jetë në Shqipëri.

Shumëkush mund ta dyshojë forcën e realizimit të këtij procesi nga vetë njerëzit. Por me një ndërgjegjësim ndër-intelektual dhe mbarëkombtar, kjo është e thjeshtë. Të pushuarit duhet të gjithë të rikthehen në vendet e tyre të punës, në të gjitha rastet kur gjykata u jep atyre të drejtë. Por të gjithë ama. Është e drejta e tyre. Është vend i tyre. Është shteti i tyre. Mjaft më, me indiferentizmin ndaj këtij absurditeti banal. Nuk mund të humbësh, përveç se të fitosh.

Shqiptarët janë ai popull, i cili nën pushtimet shekullore foli shqip, edhe pse e vranë për këtë. Shqiptarët janë ai popull që priti çdo pushtues me pushkë, e çdo mik me bukë. Sot është koha të mbrohet shteti i shqiptarëve. Kjo bëhet thjesht duke filluar nga mbrojtja e vendit të vet të punës, me të drejtën e ligjit.

Pastaj le të shohim reagimin e drejtorit politikan. Le të shohim reagimin e të zgjedhurve, të cilët u premtuan zgjedhësve botën, derisa u ngjirën. A do të përdorin ata policinë për të shpërfillur një vendim gjykate, apo do të struken me drojë? Duke vepruar sot për vendin tënd në shoqërinë shqiptare, ndërton një vend më të mirë për fëmijën tënd. Nuk është frikë të mbrosh të drejtën tënde ligjore. Nuk është frikë të rrish në këmbë në shtëpinë tënde.


Albert Baja


No comments:

Post a Comment