Thursday 11 April 2013

Mllefi dhe oportunizmi në politikën shqiptare





Pragu i zgjedhjeve dhe në veçanti, zhvillimet  e koalicioneve të leverdisshme ndërmjet partive politike në Shqipëri, kanë iniciuar padyshim, një rrebesh analizash, komentesh dhe prononcimesh mes njerëzish. Në programet televizive kanë filluar të spikasin grupet e analistëve, të opinionistëve dhe politikanët, të cilët përpëliten të argumentojnë çudirat e botës politike shqiptare. Disa syresh, belbëzojnë për arritje ekonomike, politike dhe shoqërore, ndërsa të tjerët, ngjiren duke premtuar të njëjtat mirësi kombtare; zhvillim ekonomik, politik dhe shoqëror.

Tematika e këtyre diskutimeve nuk është risi. Dëgjuesit shqiptarë janë mësuar, tashmë çdo katër vjet, me pothuajse të njëjtat premtime, sherre dhe sharje ndër-partiake. Çdo katër vjet, në mënyrë sistematike, politikanët ngjiren të budallallepsin votuesit e tyre, ndërsa analistët e varur, përpëliten ta intelektualizojnë këtë praktikë. Është kaq unike kjo praktikë sa fatkeqsisht, sot në Shqipëri është lindur dhe rritur një brez i tërë (që në vitin 1992), i cili nuk ka parë asnjë skenar tjetër politik përveç këtij të sotmit. Po kaq fatkeq, është edhe fakti që ky brez, sot 21 vjeçar, ndërsa ka dëshmuar prezencën e shquar të udhëheqësve perëndimorë në politikë dhe zëvendësimet e tyre demokratike me të tjerë, në Shqipëri dëshmojnë vetëm procesin e thinjimit të një grupi antik politikanësh. Udhëheqësia shqiptare ngulçon të kryesohet nga të njëjtit persona, të cilët nuk kanë ndryshuar as tonin, as sharjet, dhe as nuancat e gënjështrave të tyre.

Sidoqoftë, në polemikën e risisë së këtij prag-zgjedhjeje, prerja e pites pushtetore ka një karakter mjaft interesant. Për sa është kalkuluar manipulimi i këtij pazari primitiv prej palëve, potencialisht ekziston një mundësi kundërvepruese me impakt masiv. Unikaliteti i kësaj prerjeje, qëndron në faktin se ajo vesh me pushtet njëkohësisht të trija partitë; Partinë Socialiste, Partinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokratike.

-     Partia Socialiste potencialisht mund të kryesojë qeverinë e pas 23 Qershorit.
-     Partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim merr pjesë në bashkëqeverisje dhe uzurpon poste kyçe në këtë qeveri.
-     Partia Demokratike mban postin e Presidentit dhe kryesinë e Bashkisë së kryeqytetit, me shumë gjasa, pas 23 Qershorit do t’i fryjë edhe bririt të opozitarit të parë.

Të tjerët, pra partitë e vogla koalitare me fituesit e para-aprovuar tashmë, duke u kërkuar ndjesë për mospërmendjen e tyre emërore, ata do të marrin nga një kockë për t’u përtypur gjatë këtyre katër viteve në vijim.

Porse prerja e kësaj piteje pushtetore, lë jashtë dhe nxjerr jashtë, shumë palë dhe shumë votues të mundshëm. Votuesit, analistët, opinionistët, militantët, indiferentët e të gjithë të tjerët, e kuptojnë fare qartë këtë skenar. Qenësia demokratike e një sistemi të lirë zgjedhor përdhunohet brutalisht, duke e shpërfillur vendimin e votuesit – i cili shprehet me anë të votës. Tri forcat – trojka sunduese shqiptare, në këtë rast – veshin pushtetet e veta sipas rrethanave. Për të tjerët – kujt i plasi? Është skenar i thjeshtë dhe pothuajse, faktit.

Megjithkëtë, ai që nuk është i qartë, është reagimi aktiv i votuesve ndaj arrogancës publike të kësaj ndarjeje pushteti.

Në një prognozë spekulative;

-    Votuesi i përgjithshëm nuk ndihet. Ai/Ajo është i/e papredikueshëm. Ai/Ajo mund të jetë velur me gënjeshtrat, korrupsionin masiv dhe paftyrësinë publike. Ai/Ajo dëshiron të votojë ndryshe. Me pazarin e vet, paria pushtet-dashëse e ka shpërfillur në mënyre arbitrare, atë dhe votën e lirë.

-    Votuesi oportunist, i cili/e cila është mësuar të shpresojë për një vend pune – zakonisht me afat katër vjeçar, paçka zhgenjimeve të mëparshme, përdridhet të votojë të njëtën parti. Ky votim është thjesht një shprehje e sundimit të pushtet-dashësve mbi fatkeqësinë ekonomike të disave. Kërcënimi dhe shpërblimi me një vend pune, në Shqipërinë e sotme është praktikë reale.

-    Votuesi militant, nga të dy krahët e mëdhenj politik, duhet të ndihet i zhgënjyer rëndë. Ndihet i tallur dhe i fyer. Në krahun opozitar deri tash, ai/ajo është rrahur nga policia nëpër manifestimet kundër aferave korruptive të maxhorancës. Ai/Ajo ka shpresuar me naivitet në luftën politike dhe fitoren zgjedhore demokratike për një Shqipëri më të mirë, për vete dhe fëmijët e vet. Ai/Ajo e ka urryer korrupsionin e shpallur me zë dhe figurë. Ai/Ajo ka shpresuar te vlerat, morali dhe ideali. Në krahun pozitar, ai/ajo e ka urryer punësimin e injorantit në postin drejtues. Ai/Ajo e ka urryer ndjesinë e frikës për të thënë atë që mendon publikisht. Ai/Ajo e urren trajtimin e vetes si pjesë kopeje dhe presionin për t’u servilosur deri në pështirësi.

Ky realitet politik dhe shoqëror, i dirigjuar më së tepërmi nga realiteti i një prag-katastrofe ekonomike, është transformuar në një habitat mllefi dhe oportunizmi me përmasa të frikshme. Si shoqërues të përhershëm të jetës politike shqiptare, mllefi dhe oportunizmi prezantohen gjerë në çdo aspekt të jetës. Në vend pune, në kafene, në television, në blogje virtuale dhe kudo. Janë aq të pranishëm, sa në sajë të influencës së tyre, nuk ngurrohet të shkruhet, të artikulohet e të propagandohet edhe monstruoziteti, edhe injoranca, edhe paftyrësia.

Për çka vlen të përmendet, ky prag-zgjedhjeje, ndryshe nga të mëparshmit, e dallon raportin mes mllefit dhe oportunizmit masiv. Sot ka më shumë mllef. Ky vihet re në shkrimet publike, në debate, në analiza dhe në diskutimet formale dhe joformale shqiptare.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të dallohet saktësisht habitati. Mllefi dhe oportunizmi spikasin sidomos, brenda tri partive shqiptare, ashtu sikurse në llogoret e ndrërtuara dhe populluara prej tyre. Në se ka mllef kundër kësaj trojke pushtet-dashëse, si brenda ashtu edhe jashtë këtij habitati politik, ekonomik dhe shoqëror, atëhere votuesi i përgjithshëm, votuesi militant – madje edhe votuesi oportunist – duhet të konsiderojë përdorimin e llogjikës së vet racionale.

Pra, në njërin krah vetëvendoset votuesi me familjen dhe vendin e vet. Përballë në gjykim, vendoset udhëheqësia. Llogjika racionale analizon shkurt produktin e udhëheqësisë së të dyja forcave madhore politike, në përputhje me rotacionet e tyre qesharake. Po kështu, analizohet retorika ndërpartiake publike – këtu përfshihen premtimet, euforia parazgjedhore, sharjet, shtrembërimet e deklarimeve të mëparshme, e gjithçka tjetër. Përmbi çdo llogjikë dhe analizë, votuesi i përgjithshëm duhet të konsiderojë realitetin ekonomik dhe demokratik të vendit të vet.

Në bazë të kësaj llogjike dhe analize faktike – pa zhurmë, mllef apo eufori – ai/ajo vendos se për cilën parti, apo individ politik duhet të votojë. Votimi kurrësesi nuk duhet të udhëhiqet nga mllefi dhe oportunizmi. Asnjëra prej këtyre nuk siguron një të ardhme. Përkundrazi, ata e dëmtojnë atë.

Realiteti demokratik botëror provon një gjë në mënyrë konkluzive; Votuesi ka në dorë një të drejtë madhore, një vendim-marrje domethënëse, një forcë vendimtare për të ardhmen e vet dhe të fëmijëve – VOTËN. Fatkeqsisht, këtë e ka vetëm një herë në katër vjet. Prandaj, duhet përdorur me mend në kokë.      



Albert Baja

  

No comments:

Post a Comment