Wednesday 24 April 2013

Aktorët e vetëm në Karnavalet e Zgjedhjeve




Dy janë forcat që vlen të përmenden, si aktorë të vetëm, në zallahinë e karnavaleve të zgjedhjeve në Shqipëri; Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi. Këto janë dy forca politike me program, moral e organizim politik krejt të kundërt. E para, Fryma e Re Demokratike, komandon një vëmendje analitike dhe kujdes shprehimor. E dyta, Aleanca Kuq e Zi, përveç emrit të spikatur, provokon një ndjesi humori, apo thjesht një lakim buzagaz të kokës.

Meqënëse nuk mund të flitet shumë për Aleancën Kuq e Zi, vërejtjet shprehimore mund të filllojnë e të mbarojnë me marshimin sharlatan të kreut të këtij organizimi, në 7 Prill, nën thirrjen komike të korit – O Kreshnik o hero, gjithë Shqipëria ty të do. Nën këtë petk përkëdhelës, Kreshniku marshonte në procesionin më Donkishotesk, të realizuar gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri.

Fishkëllima e ndërtimit të një Njëshkëje tjetër në arenën politike shqiptare, përfundoi me pazarin parazgjedhor, kushtet e prezantuara dhe zotimin – tashmë të paftyrë – të përbetimit ndaj aleancës vetëm me popullin shqiptar (patjetër, nëse nuk i plotësoheshin kushtet, përndryshe – vafsh o popull, si me të tjerë!). Kaq për Aleancën Kuq e Zi – një nismë e dhunuar në lindje.

Fryma e Re Demokratike, ndryshe nga pothuaj të gjitha forcat e tjera politike në Shqipëri – këtu merren në vëmendje partitë domethënëse, jo disa grupime të turpshme, të cilat janë emërtuar dhe regjistruar si parti politike, vetëm për një rrogë) – ajo hyn në zgjedhje e vetme. Karnavalet e zgjedhjeve dhe marrëveshjet celulare janë kaq gjithëpërfshirëse, sa kushdo ka bindje se një interesim, qoftë edhe i tërthortë nga FRD, do të përshpejtonte gishtat e madhorëve në tastierat e lodhura të celularëve. Porse FRD siguroi papajtueshmërinë me të dyja forcat madhore politike, Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Në këtë paragraf, ndershmëria politike me moralin dhe anëtarësinë e vet përbën një risi në politikën shqiptare.

Megjithkëtë, duke lënë mënjanë profecinë e rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri, – do të ishte aq i pasaktë sa edhe parashikimet Bajern vs Barcelona, sepse fatkeqsisht, zgjedhjet janë kthyer në një sport me shpërblime përkatëse në kurriz të shqiptarëve – në këtë fillesë politike, ‘profecia’ analitike e ardhmërisë së FRD është intriguese.

Përballë dy partive madhore, FRD pozicionohet si efekt në rritje, dhe me peshë në politikën e ardhme kombtare. Strukturimi i saj nismëtar shquan qetësinë e debatit politik dhe qartësinë e programit gjithëpërfshirës. Në këtë bust, të ndërtuar organikisht prej shumë aktorëve në këtë parti, prezenca në vijim do të ndikojë zhvillimet politike shqiptare në shumë aspekte. 

Për Partinë Socialiste, FRD nuk përbën një kërcënim antarësor. Këto dy forca kanë ndarje të qenësishme politike. Për PS, FRD-ja përbën një kundërshtar potencial të civilizuar, të organizuar dhe me reputacion në rritje. Përballë Frymës së Re Demokratike – nëse linja politike dhe organizative nuk ndryshon – Partia Socialiste detyrohet të riorganizojë psikologjinë e opozicionit të saj politik. Në fakt, Fryma e Re sjell frymën e re të etikës, në luftën politike shqiptare.
Në këtë formim, mundësia e një debati ndërmjet një përfaqësuesi të FRD-së dhe të PS-së me tone rugaçërie është pothuaj zero. Kjo mënyrë debatimi, është kthyer tashmë një ëndërr për shqiptarët – ndjekës të debateve politike. Shpërthimet dhe shkëmbimet e sharjeve ndërmjet analistëve të njëanshëm dhe politikanëve të sotëm, ndërsa shpalosin një kategori neverie rrenjësuar nga injoranca e tyre, ata janë primitive e të papranueshme.  

Ndryshe nga raporti opozitar me PS-në, FRD-ja është një ndërtim mbi degradimin natyral të Partisë Demokratike. Ajo çfarë nënkuptohet me ‘degradimin natyral’ nuk është arritja-mosarritja, suksesi-dështimi, ndershmëria-pandershmëria, demokracia-autokracia etj., të debatit mbi zhvillimet e sotme në Partinë Demokratike. Qëllimi i këtij materiali nuk synon analizën e punës politike të PD-së. Degradimi natyral i Partisë Demokratike është ecuri natyrale e vendosjes së saj organizative në hapësirë dhe kohë.

Pa debat, strukturimi i Partisë Demokratike është i formatuar rrenjësisht përreth kryetarit të saj. Kjo formë e thjeshtë, por guackore e strukturimit, përveç problemeve të tjera, ajo nuk lejon depërtime vazhdueshmërie në udhëheqësi. Bazuar në ciklin kohor të cdo organizmi, me fillim dhe fund, mënjanimi i njeriut nga aktivitete normale, është proces natyral dhe njerëzisht i pashmangshëm. Ky është një realitet i pakontrollueshem dhe jashtë të gjitha kapaciteteve njerëzore.

Argumenti për këtë efekt, pra degradimin e PD-së në zhvillimin natyral, vjen në mbështetje duke parashtruar një pyetje të vetme; Kush vijon në udhëheqjen e kësaj force politike? Arena e tashme e shpurës së kryetarit aktual të PD-së, fatkeqsisht nuk cilëson asnjë kandidat të mundshëm, me aftësi organizative përmbledhëse, me karizmën dhe aktrimin politik (këtu atributi është tejet personal) të barazueshme me të, apo së paku, me cilësi të përafërta.
          
Në këtë skenar të ardhshëm, Partia Demokratike është e destinuar të ndërmarrë disa rrugë procesore; partia përfundon ciklin dhe shpërbëhet; anëtarësia shpërndahet ndër parti të tjera; partia ndahet në forca politike nën udhëheqësine e të përzgjedhurve konkurues, si mjet rrogë-ruajtjeje.

Në çdo skenar të ardhshëm të zhvillimeve në PD, FRD-ja është përfituese. Në një metaforë analitike, FRD-ja bëhet nesër, ajo ç’ka PD-ja duhet të jetë sot. Sidoqoftë së nesërmes metaforike, ndërsa jetëgjatësia e FRD-së nuk i mundëson asaj, një reklamim më të gjerë kombtar, ajo përbën në këto zgjedhje, një kënd mbështetjeje për të gjithë ata, të cilët të tashmen dhe të ardhmen demokratike, nuk e shohin më, me dylbitë e PD-së.

Në fund të fundit, ky është thelbi i demokracisë; një mendim i lire – tjetër, një mënyrë përzgjedhjeje e lirë – tjetër.     


Albert Baja

No comments:

Post a Comment